Gazetari Dashamir Biçaku ka komentuar arrestimin e Dritan Rexhepit si dhe vrasjen e Arjanit Rizajt. Vrasja e këtij të fundit u bë e ditur mbrëmjen e djeshme.
Rexhepi, njihej si mbreti i arratisjeve, ndaj lajmi i arrestimit të tij, ka qenë surprizues për të gjithë ata që botën e krimit e njohin mirë.
“Dritan Rexhepi dihet që është arrestuar në vitin 2014 gjatë operacionit të policisë ekuadoriane me emrin “Ballkan”. Pas arrestimit u dënua me rreth 10 vite burg e pas këtij dënimi ai ka lënë qelitë e burgut në vitin 2021, pas një procesi që u zhvillua atje. Duhet thënë se në 2022, pak kohë pasi kishte dalë nga burgu, ai ka pasur një përplasje, ky është informacion shumë i rëndësishëm i papublikuar më parë, ai ka pasur një përplasje me një grupim të trafikut të kokainës, grupim tjetër shqiptar, po në Ekuador dhe përplasja ka qenë tepër e rrezikshme dhe vet Dritan Rexhepi është detyruar të largohet nga Ekuadori dhe të transferohet në Kolumbi”,-tha gazetari.
Biçaku ka bërë një profil të shkurtër edhe të Arjan Rizajit, i cili u ekzekutua me pistoletë pranë një spitali në Ekuador.
Ai tha se 43-vjeçari ishte një personazh i panjohur për Ekuadorin pasi nuk kishte rekorde të mëparshme kriminale të regjistruara, por ekzekutimi i tij mund të ketë ardhur për shkak të përplasjeve për kokainën.
“Arjanit Rizaj 43-vjeç, ky është identiteti i cili është zbuluar, se mund të ekzistojë mundësia që dokumenti që ka prezantuar në Ekuador të jetë fals. Autoritetet akuadoriane nuk kanë pasur asnjë informacion për të. Ai ka hyrë në Ekuador në rrugë tokësore, besohet të ketë hyrë nga Peruja. ai nuk njihet nga autoritet ndaj edhe vrasja e tij, sigurisht që lidhet me përplasjet për shkak të kokainës, por ende nuk ka asnjë informacion për të, pasi ai nuk ka asnjë rekord kriminal në Ekuador”, tha gazetari në Euronews.
Gazetari Biçaku, që ka qenë edhe vetë në Ekuador për raportime, ka edhe një apel për autoritetet shqiptare. “Këta policë në Guajakil (Guayaquil) të Ekuadorit, janë pjesë e trupës së ndershme të Policisë së këtij vendi. Sigurisht që krimi i organizuar aty, mes te cilëve edhe grupet shqiptarët rekruton shumë prej tyre, por më shumë se policëve të thjeshtë, trafikantët ua besojnë punët atyre që qëndrojnë lart në hierarki. Dhuna në Ekuador duhet parë dhe vlerësuar nga autoritetet shqiptare si shembull për të mos u importuar në një vend si i joni që mbetet i brishtë përballë pastrimit të parave që vijnë nga krimi organizuar dhe trafiku i drogës”, shkruan ai.
Lexo edhe: Si u “tradhtua” Dritan Rexhepi?
Lexo edhe: Publikohet foto, ky është shqiptari që u ekzekutua në Ekuador