Gazetari i Lezhës, Elvis Hila është shprehur se nuk i njihte më parë dy personat që e dhunuan dje për shkak të detyrës dhe se nuk ka informacion nëse kanë pasur më herët precedentë penalë.
Ai tregoi për “Panorama TV” se gjithçka nisi pas një lajmi të publikuar në mediat ku ai punon, për dënimin e një personi me burg nga ana e Gjykatës së Lezhës. Pas kësaj, dy të afërm të të dënuarit, e kanë telefonuar dhe e kanë kërcënuar gazetarin.
Elvis Hila: Gjithçka nisi me një lajm të publikuar në mediat ku unë punoj për dënimin e një personi nga ana e gjykatës së Lezhës. Siç duket, diçka e tillë nuk i ka pëlqyer familjarëve në fjalë. Ishte djali i të dënuarit që më ka telefonuar ditën e djeshme dhe më ka kërcënuar. Rreth një orë e 30 minuta më vonë, jam telefonuar nga një numër tjetër, që më kërkoi për t’u takuar.
Në atë momente, po merrja bashkëshorten time tek puna. Më pas kishim lënë takim. Shkova me automjetin tim ku ishte dhe bashkëshortja. Në atë momente, në bulevardin e qytetit, ishte i parkuar një mjeti tip Golf 6 dhe doli personi që më kishte telefonuar, së bashku me djalin e të dënuarit nga gjykata e Lezhës. Më kërkuan që të hapë krahun dhe më kërkuan të zbresë nga makina. Kishin një qëndrim aspak normal, nuk pranova që të zbresë nga makina. Më pas, më janë afruar tek dera e makinës duke më kërkuar llogari për publikimin e lajmit.
Është një vendim publik i dhënë nga gjykata e Lezhës. Nuk ishte asgjë për t’u shqetësuar. Janë afruar tek makina duke më kërkuar llogari, duke më sharë dhe ofenduar. Bashkëshortja duke parë se po agravohej situata, doli nga mjeti për t’i larguar personat në fjalë. Ajo tentoi të telefonoi policinë, por në atë moment i hoqën telefonin nga dora dhe e goditën. Më pas, ata erdhën drejt meje duke më goditur me shkelma dhe grushte.