Kryeministri Edi Rama bëri dje publik lajmin se Bledi Çuçi do të jetë ministri i ri i Brendshëm, që do të zëvendësojë Sandër Lleshaj. Një përzgjedhje surprizë që ka ngjallur mjaft reagime.
Gazetari Poli Hoxha i ftuar në emisionin ‘Spotlight’ u shpreh se Çuçi është një ushtar i bindur i kryeministrit Rama. Sipas tij, këto vite ai ka krijuar perceptimin, më shumë si një njeri i afërt me kreun e qeverisë.
“Dihet tani që jemi përpara zgjedhjeve. Që nga viti 2001, që mbaj mend unë, dhe deri tani, nuk kemi patur më ngritje shqetësimesh për Policinë, as nga ndërkombëtarët, as nga ne gazetarët. I fundit ka qenë periudha e zgjedhjeve të 2001-it.
Tani është ngritur një shqetësim edhe nga ndërkombëtarët, në një raport të fundit thuhej që ndihet politizimi te Policia dhe te ministri. Çuçi, si profesion, është jurist, dhe unë do të doja një jurist në atë pozicion, por Çuçi ka që në 2013-ën që ka perceptimin e një njeriu si mik, njeri i ngushtë pa kushte i kryeministrit.”, u shpreh Hoxha.
