Gazetari Artan Hoxha kujton sot vrasjen e bankierit të njohur Artan Santo. Ai u vra në 26 qershor 2014 pak metra larg bankës së nivelit të dytë ku punonte, nga dy persona që e kishin ndjekur më parë me motor.
Hoxha thotë se dhe sot, është e rrezikshme “të rrëmosh” për vrasjen e bankierit, njëlloj si 7 vite më parë.
“Fiks ne te njejten ore, si 7 vite me pare…. Asgje nuk ka ndryshuar nga ai mengjes i nxehte fundqershori… Tan Santo, nese na sheh nga aty lart, te rremosh mbi atentatin tend sot, se cilet ishin urdheruesit, organizatoret, ekzekutoret apo ata qe ndihmuan ne fshehjen e gjurmeve, eshte po aq e rrezikshme sa para 7 vitesh…”, shkruan Hoxha.
Kujtojmë se, në mesin e muajit maj 2021, Prokuroria e Posaçme rinisi hetimet për vrasjen e Artan Santos. Referuar burimeve nga SPAK, bëhej me dije se organi i akuzës ka siguruar prova të reja për vrasjen e bankierit, ndërkohë që ende pas 7 vitesh nuk ka asnjë të dyshuar për vrasjen e tij.
Ishte Prokuroria e Tiranës që në fillim të këtij viti kërkoi rihapjen e kësaj dosje, e cila tashmë ndodhet në duart e SPAK. Burimet pranë Prokurorisë së Posaçme thonë se hetuesit janë optimistë se kanë gjetur prova që do t’i çojnë drejt zbardhjes së vrasjes së bankierit.
