Analisti dhe gazetari Mentor Kikia ka reaguar pas situatës së rënduar nga tërmeti në Shqipëri.
Ai ka publikuar në ‘Facebook’ foton e çadrës ku strehohet familja e Artir Tushes, duke treguar se në të njëjtën gjendje ndodhen edhe shumë të tjerë.
Kikia ngre pyetjen se ku janë oligarkët, në këtë kohë kur të gjithë kanë ndihmuar nga Rita Ora, Dua Lipa e deri tek Behgjet Pacolli.
Sipas Kikisë, është koha që oligarkët dhe kompanitë telefonike t’i kthejnë mbrapsh popullit sadopak nga paratë që keni fituar edhe përmes korrupsionit.
Statusi i plotë:
Shqipëria sot thërret për ndihmë! Ku janë oligarkët?
Ata që humbën jetën janë pjesa tragjike e asaj që ndodhi. Por drama është shumë e madhe. Mijëra familje, jo vetëm në Durrës e Thumanë, janë në qiell të hapur.
Kjo tendë plastmasi, është “shtëpia” ku strehohet tani familja e Artur Tushes, me katër persona, dy fëmijë të vegjël, në Sharkë të Vorës. Si kjo familje janë me qindra fshatrave të zonave të prekura nga tërmeti.
Behxhet Pacolli dhuroi 1 milion Euro për të ndihmuar Shqipërinë.
Dy këngëtaret e mrekullueshme, Rita Ora e Dua Lipa, kanë dhënë nga 1 milion Euro gjithashtu.
Po këta oligarkët tanë ku janë? Këta që kontrollojnë naftën, mbi tokë e nëntokë, rrugët, ndërtimet, minierat, lumenjtë, detin, bregdetin, ajrin dhe qiellin?
Ku janë ata që u del emri fitues në çdo tender publik.
Ku janë kompanitë e telefonisë, që kanë në Shqipëri normën më të lartë të fitimit në Europë, e që sponsorizojnë qindra mijëra Euro për lloqe, duke mbushur sheshet me banera reklamash?
Shkunduni!
Eshtë koha ti ktheni mbrapsh popullit të gjorë sadopak nga paratë që keni fituar edhe përmes korrupsionit.
Shqipëria dhe shqiptarët sot kanë nevojë!
Apo ju sponsorizoni vetëm fushata elektorale?