Gazetari Kujtim Boriçi, në rolin e shkrimtarit tashmë, mori dje titullin “Qytetar Nderi I Bashkisë Librazhd” në një aktivitet të veçantë të promovimit të dy librave të tij “Tahir Hoxha I Çermenikës” dhe “100 personalitete të Librazhdit”.
Gazetari Boriçi, me një eksperiencë të gjatë në median e shkruar në vend dhe më vonë edhe në fushën e studimeve, tha se nepermjet këtyre librave ka zbardhur figura të shquara të këtij qyteti, që për arsye të ndryshme, ishin lënë në heshtje përgjatë historisë. Ai vë në dukje rolin e pazëvendësueshëm të intelektualëve të Librazhdit në emancipimin e jetës kulturore dhe qytetare të kësaj bashkie.
Këtë aktivitet të gjerë promovues e bëri të veçantë edhe prania e personaliteteve në zë nga bota akademike, fetare, ushtarake dhe politike, si: prof. Xhevat Lloshi, prof. Bernard Zotaj, prof. Zaho Golemi, kol. Spiro Konduri, studiuesja Nadire Buzo, Kryegjyshi i Kryegjyshatës Botëtore, Hirësia e tij Dedë Edmond Brahimaj, deputeti Damian Gjiknuri etj. Diskutantët u ndalën gjerësisht edhe mbi rolin e autorit Kujtim Boriçi në fushën e poezisë, në fushën e shkrimit historik monografik dhe fushën e publicistikës.
Për merita të veçanta në krijimin e imazhit mediatik të Bashkisë Librazhd, me vendim të Këshillit Bashkiak, autorit Kujtim Boriçi iu akordua titulli i lartë: “Qytetar nderi i Bashkisë Librazhd”. Gjithashtu, me vendim të Kryetarit të Bashkisë, z. Kastriot Gurra, për merita të vecanta në momente të vështira të historisë së Çermenikës, si prijës i spikatur popullor, iu akordua ” Çertifikatë mirënjohjeje” ( pas vdekjes) edhe të ndjerit Tahir Tahir Hoxha, i përmendur si “Tahiri i Çermenikës”. Bashkia Librazhd u shpreh mirënjohjen të gjithë diskutantëve dhe të pranishmëve në këtë veprimtari të gjerë promovuese.
