Kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, foli sot për detyrën e tij të re në krye të grupit, ku tha se ky është një moment i vështirë për PD dhe kjo e bën më të vështirë sfidën që do të ketë kjo parti përpara.
“Uroj të jem në lartësinë e pritshmërisë së kolegëve”, tha ai në News 24.
Bardhi foli edhe në lidhje me dorëheqjen e Enkelejd Alibeaj nga posti i kryetarit të komanduar të PD. Ai tha se e vlerëson aktin i cili vjen pas një fushate të vështirë të ardhur pas një viti e gjysmë pune të vështirë dhe sulmi të vazhdueshëm nga grupimi i drejtuar nga Sali Berisha.
Bardhi ka renditur edhe arsyet që çuan në një rezultat jo të favorshëm për opozitën në këto zgjedhje, arsye të cilat sipas tij janë makinacionet e përdorura nga mazhoranca dhe lufta e përplasja e ashpër brenda PD.
“E kam vlerësuar dorëheqjen e zotit Alibeaj dhe qëndrimin e tij pas zgjedhjeve. Për PD mënyra si hymë në zgjedhje dhe veprimtari në 1 vit e gjysmë sillte një rezultat të pritshëm.
Secili nga ne bëri ç’mundi në këtë fushatë të shkurtër.
Secili prej nesh që nuk iu bashkua pjesë së drejtuar nga Berisha ishte në një sulm e përbaltje të vazhdueshme që ndikoi.
Zgjedhjet treguan që përçarja brenda PD dhe vijimi i të njëjtit model të drejtimit të partisë, sjell një rezultat të tillë. Edhe humbja e “Bashkë Fitojmë” është humbje për çdo opozitar.
