Ministri i Punëve të Jashtme në Detyrë, Gent Cakaj ka bërë me dije se i ka dërguar një letër drejtorit ekzekutiv të Kompanisë Apple, z. Tim Cook, për t’i kërkuar marrjen e masave të nevojshme për të paraqitur kufijtë e saktë të Republikës së Kosovës në shërbimin e Apple Maps.
Postimi i Cakajt
Në bashkërendim të plotë me Ministren e Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, znj. Meliza Haradinaj-Stublla, sot i kam dërguar një letër drejtorit ekzekutiv të Kompanisë Apple, z. Tim Cook, për t’i
kërkuar marrjen e masave të nevojshme për të paraqitur kufijtë e saktë të Republikës së Kosovës në shërbimin e Apple Maps.
Republika e Kosovës është njohur prej shumicës së shteteve të botës demokratike dhe, ashtu siç ka vendosur vetë Gjykata Ndërkombëtare e
Drejtësisë, shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar. Ndaj, presim që Apple Inc. të marrë vendimin e drejtë duke vendosur kufijtë e Republikës së Kosovës në hartat e shërbimeve të saj.
Shqipëria do të vazhdojë mbështetjen e pakursyer për Republikën e Kosovës në mënyrë të pakushtëzuar e në çdo rrethanë…
