Qeveria gjermane do të garantojë 50 milionë euro për vijimin e fazës së dytë të programit për përmirësimin e sistemeve të furnizimit me ujë të pijshëm, kanalizimeve të ujërave të përdorura dhe trajtimit të tyre në disa bashki të vendit. Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë nënshkrimit të marrëveshjes “Programi infrastruktura bashkiake V”, theksoi se në fokus do të jenë bashkitë turistike.
“Qëllimi i vërtetë i këtij Programi dhe është patjetër që të kontribuojë në përmirësimin e sistemeve të furnizimit me ujë të pijshëm, kanalizimi dhe trajtimit të ujërave të përdorura urbane në disa bashki të vendit, ku sigurisht prioritet do të kenë zonat turistike, qofshin ato të bregdetit, apo qofshin ato të turizmit malor”.
Një nga sfidat që kërkon adresim në vazhdimësi në zonat turistike sipas zëvendëskryeministres Balluku është edhe furnizimi me energji elektrike.
“Sigurisht, i gjithë sektori i ujësjellës kanalizimeve është hasur dhe me problematika shumë të mëdha që kanë të bëjnë me furnizimin me energji elektrike duke krijuar kështu një efekt zinxhir negativ edhe në financat e sektorit energjetik dhe kjo është një nga sfidat tona më të mëdha”.
Ambasadori gjerman Karl Bergner nënvizoi se krahas fondit të investimit, marrëveshja siguron edhe një shumë për trajnimin për zbatimin e këtij projekti
“Kemi jo vetëm një vlerë të përgjithshme prej 50 milionë euro për investim, por edhe një vlerë shtesë prej 3 milionë euro për masa trajnimi dhe kualifikimi. Unë jam shumë i sigurt që ky program i shërben sfidave të Shqipërisë”.
Balluku theksoi se për këto investime dhe realizimin e projekteve, vlera më e madhe është koha dhe se Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur.
