Në opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias dhe ODIHR të datës 11.12.2020 ripërsëritet rekomandimi “që të gjitha autoritetet, të hyjnë në një dialog konstruktiv dhe të bëjnë çmos për të zbatuar ligjin zgjedhor në kohë”. Venecia dhe ODIHR ishte e qartë në opinionin e tyre dhe në rekomandimet që i përsëriti politikës shqiptare, e cila duhet të jetë në unison për sa i përket zbatimit të ligjit zgjedhor dhe mos kontestimit të saj.
Në një nga pyetjet e parashtruara nga Presidenti i Republikës në lidhje me stabilitetin e ligjit zgjedhor, Komisioni i Venecias arsyeton se ky stabilitet “nuk është vënë në diskutim nga ndryshimet e fundit te kodit zgjedhor.” Kjo për shkak se “Ndryshimet në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor, të marra vetëm ose në kombinim, nuk janë të tilla për të përfaqësuar një ndryshim thelbësor në sistemin zgjedhor të Shqipërisë” argumenton Venecia.
Venecia shkon më tej duke argumentuar se shumica e ndryshimeve të 5 tetorit në Kodin Zgjedhor ishin teknike, pasi lidhen edhe me korigjimin e gabimeve teknike të nevojshme pas ndryshimeve të Kodit Zgjedhor në korrikut 2020. Për më tepër Venecia thekson se ndryshimet e 5 tetorit “mund të kenë një ndikim pozitiv në proceset zgjedhore.”
Në analizën e kontektit, Venecia dhe ODIHR ndalen edhe në faktin se Parlamenti nuk ka 140 deputetë për shkak të largimit të opozitës. Pasi shpreh keqardhjen për vendimin kolegjial të largimit nga Parlamenti të opozitës shprehet se “ Fakti që Parlamenti nuk është i përbërë nga numri i plotë i anëtarëve në vetvete nuk është problematik në funksion të standardeve ndërkombëtare, duke pasur parasysh se ai funksionon në përputhje me kuorumin e përcaktuar me Kushtetutë”.
Në përfundim Komisioni i Venecias dhe ODIHR sjellin në vëmendje elementin e mirëbesimit në lidhje me zbatimin e legjislacionin zgjedhor, si “një element themelor i reformës së suksesshme zgjedhore”.