Gjykata e Shkodrës ka dhënë masën burg me afat për policinë Gruemirës, Berhan Bajrakurtaj.
Ai akuzohet se ngacmonte seksualisht një të mitur, teksa videot e tij u publikuan nga mediat. Gjyqtarja e çështjes Irida Kacerja pranoi kërkesën e prokurorit Vat Staka, për afatin 30-ditor të burgimit, ndërsa avokati i Bajrakurtaj, Xhelal Kraja e cilëson të paligjshëm ndalimin, duke kërkuar lirimin, pasi sipas tij nuk ka vepër penale.
Ndërkohë vëllai i tij është shprehur se është një video e stisur nga mediat. “Vëllai im nuk e ka bërë atë gjë. Ne nuk dalim nga shtëpia. Kjo nuk ka mbaruar. Dikush e ka bërë me qëllim për ta dëmtuar. Asgjë nuk është e vërtetë”, ka thënë ai.
Pak ditë më parë u publikuan videot intime të policit, dhe ka qenë nëna e të miturës që ka thënë për median që i publikoi se kur ka shkuar të denoncojë në polici nuk e kanë pritur.
Menjëherë pas skandalit, ai u arrestua nga kolegët e tij. Vetë ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ishte në Vaun e Dejës një ditë më pas ku tha se ende nuk po gjendet denoncuesi.
