Gjykata e Tiranës la në burg 3 nga 12 të arrestuarit për evasion fiskal me TVSH-në. Prokuroria kishte një dosje të gjatë, por Gjykata vendosi që tri personave t’u jepte masën “arrest me burg’, kurse 9 të tjerëve “detyrim paraqitjeje”.
Policia kishte ekzekutuar disa ditë më parë urdhrat e Prokurorisë, duke arrestuar 12 biznesmenë dhe 13 të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi dyshohet të kenë ngritur një skeme fiktive duke përfituar nga TVSH-ja.
Burimet thanë se janë në proces hetimi dhe verifikimi 30 biznesmenë. Deri tani, dëmi që i është shkaktuar shtetit nga kjo skemë përllogaritet në vlerën e 18 milionë eurove. Prej disa muajsh, Prokuroria e Tiranës kishte nisur hetimet për kompanitë dhe biznesmenët e përfshirë, pasi dyshoheshin se qarkullonin fatura fiktive, lëviznin të ardhurat dhe shpenzimet dhe përfitonin rimbursimin e TVSH-së nga shteti.
Sipas Prokurorisë, 20 shoqëritë dhe 30 personat që janë objekt hetimi kanë kryer blerje fiktive nga shoqëritë që operojnë në fushën e tregtimit të produkteve ushqimore. TVSH-në e mbledhur nga këto blerje, më pas e kanë shitur në mënyrë fiktive te shoqëri të treta që operojnë në fushën e ndërtimit.
Gjithashtu, dyshohet se ka edhe persona të tretë, të cilët nuk figurojnë si administratorë ose aksionerë. Ka dyshime se pas subjekteve mund të jenë 2 ose më shumë studio kontabël, të cilat bëjnë rakordimet e faturave dhe deklarimin e tyre në sistemin tatimor. Punonjësit e subjekteve rezultojnë të punësuar aktualisht, por edhe më përpara, në subjekte të ndryshme ku janë regjistruar në funksione të ndryshme, si lavazhier, punëtorë krahu, punëtorë ngarkim-shkarkimi, bojaxhi, shitës në dyqan, kamerier, etj..