Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Gledis Nano është duke zhvilluar në këto momente në Fushë Krujë një takim me krerët e policisë së Durrësit, të Komisariatit të Policisë Krujë, dhe të Departamentit të Policisë Kriminale.
Mësohet se Nano ka kërkuar një analizë të detajuar të fakteve dhe provave e rrethanave të ngjarjes, mbledhje të kamerave në një territor të gjerë, vijimin e krehjes së zonës me dronë dhe forca speciale, përdorimin e kamerave termike që mundësojnë identifikimin e personave që mund të qarkullojnë gjatë natës pasi mund të jenë fshehur në zonën përreth, grumbullim informacioni në rrugë operative, shqyrtim i të gjitha pistave dhe autorëve të mundshëm.
Nano ka kërkuar që kjo ngjarje të zbardhet sa me parë dhe të rritet forca parandaluese duke shtuar kontrollet e befasishme me shërbime të policisë kriminale për te gjithë kontingjentet kriminale.
Mësohet se Gledis Nano ka kërkuar shoqërime të gjithë atyre personave që mund të jenë të dyshuar dhe të punohet me profesionalizëm në bashkëpunim me Prokurorinë. Të bashkëpunohet me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, të grumbullohet çdo informacion i mundshëm sado i vlefshëm qoftë, të analizohet, jo vetëm për ketë ngjarje por qëllimi është për të parandaluar në të ardhmen ngjarje të tilla kriminale.