Protesta e së enjtes në Astir është shoqëruar me tensione. Banorët, të cilët prej muajsh protestojnë kundër shembjes së shtëpive të cilat do të preken nga projektit të Unazës së Re, kanë goditur me sende të forta dhe gurë punonjësit e IKMT-së dhe Policisë.
Për këtë ngjarje janë proceduar penalisht 9 persona.
“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2, në përfundim të veprimeve të para hetimore, bazuar edhe në pamjet filmike, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Sh.S., 50 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim dhe vijon puna për kapjen e 7 shtetasve: J.M., S.H., F.D., V.D., L.K., Sh.N. dhe G.S., të cilët pas sulmit mbi punonjësit e IKMT-së dhe të Policisë janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Në vijim të veprimeve u procedua penalisht në gjendje të lirë edhe shtetasi E.D., 35 vjeç, banues në Tiranë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Shkatërrim prone”, “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Goditje për shkak të detyrës”, në ngarkim të shtetasve Sh.S., J.M., S.H., F.D., V.D., L.K. dhe Sh.N., si dhe në ngarkim të shtetasit G.S., për veprat penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, “Shkatërrim prone”, “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Goditje për shkak të detyrës”, thuhet në njoftimin e Policisë.