Temperaturat e larta kanë shkaktuar zjarret e para të mëdha në Greqi. Dy vatra zjarri shpërthyen pranë Athinës duke detyruar banorët të largohen nga shtëpitë e tyre dhe duke nxitur evakuimin e qindra fëmijëve nga një kamp veror.
Më shumë se 200 zjarrfikës të ndihmuar nga 20 ushtarë, 10 avionë dhe 6 helikopterë janë ende duke luftuar me flakët. Disa prej banorëve të prekur nga zjarret thonë se autoritetet greke nuk po veprojnë në kohë.
Vatrat e zjarrit që fillimisht u shfaqën në fshatin Kouvaras, 30 kilometra larg Athinës, u përhapën me shpejtësi në jug drejt vendpushimeve bregdetare si Lagonisi, Anavyssos dhe Saronida. Edhe në Zvicër autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e disa fshatrave në rajonin e Valais. Rreth 200 zjarrfikës po punojnë për shuarjen e zjarreve.
