Raportet diplomatike Shqipëri-Greqi janë të acaruara për shkak të arrestimit dhe për rrjedhojë edhe mosbetimit të Fredi Belerit, si kryebashkiak i Himarës.
Mes kërcënimeve nga ana e Athinës zyrtare se do të vërë veton për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, kryeministri Edi Rama duket krejtësisht i pashqetësuar. Ai tha se nuk i druhet një skenari të tillë, sipas së cilit për të është shumë më e rëndësishme testi i SHELL në Shpirag.
“Unë i druhem vetëm një gjëje që testi në Shpirag të mos dalë pa sukses, vetëm kësaj i druhem, asgjë tjetër”, tha Rama. Pak ditë më parë në Himarë u mbajt edhe një protestë ku morën pjesë kryetari i bashkisë së Athinës dhe ai i Selanikut.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis thirri në një darkë informale më 21 gusht liderët e Ballkanit Perëndimor, por ftesa për Shqipërinë nuk i shkoi kryeministrit Edi Rama, por presidentit Bajram Begaj për të përfaqësuar Shqipërinë. Por në Athinë nuk shkoi as presidenti ynë i Republikës.
Darka greke u mbajt dhe tashmë vendet e Ballkanit Perëndimor me vendet e BE-së do të bashkohen në kuadër të procesit të Berlinit në muajin tetor në Tiranë.
