Nga data 22 shtator ka nisur fushata e vaksinimit antigrip. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka siguruar 280 mijë doza të kësaj vaksine, që janë shpërndarë tashmë në të gjitha qendrat shëndetësore në vend.
Rovena Daja, drejtuese e programit të vaksinimit pranë Institutit të Shëndetit Publik tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se për sezonin 2025–2026 objektivat kryesore të fushatës së vaksinimit antigrip janë: sigurimi i vaksinimit falas për të gjitha grupet e riskut, përdorimi sa më efikas i të gjitha dozave të ofruara, rritja e mbulimit të vaksinimit te grupet vulnerabël dhe mbrojtja e personelit shëndetësor, për të shmangur përhapjen e gripit në mjediset shëndetësore.
“Këtë vit përdoret vaksina GC Flu 4-valente, e parakualifikuar nga OBSH-ja dhe e prodhuar në Korenë e Jugut. Vaksina përmban viruse të inaktivuar dhe mbulon katër shtame qarkulluese të gripit (A/H1N1, A/H3N2, B Victoria dhe B Yamagata). Kjo garanton një mbrojtje të gjerë dhe siguri të lartë për qytetarët”, tha Daja.
“Qendrat shëndetësore në Tiranë u furnizuan në shtator dhe u përgatitën me ambiente të posaçme për vaksinim. Fushata nisi më 22 shtator 2025 dhe gjatë javës së parë në NJVKSH Tiranë janë vaksinuar 6 600 qytetarë sipas sistemit elektronik të vaksinimit. Kjo tregon një fillim të mirë të fushatës dhe një interesim në rritje të komunitetit”, vijoi ajo.
Daja u shpreh se “punonjësit shëndetësorë janë grupi i parë i vaksinuar, pasi ata janë të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj pacientëve dhe kanë rrezik më të lartë për t’u infektuar dhe për të transmetuar virusin”. “Vetëm gjatë javës së parë, në Tiranë janë vaksinuar 676 punonjës shëndetësorë dhe ky është një hap i rëndësishëm për të garantuar siguri në mjediset shëndetësore”, theksoi Daja.
Drejtuesja e programit të vaksinimit pranë ISHP-së tha se vaksina antigrip është domosdoshmëri sidomos për grupet prioritare ku bëjnë pjesë punonjësit shëndetësorë, persona me sëmundje kronike (kardiovaskulare, pulmonare, diabet, astmë, sëmundje të mëlçisë apo veshkave, tumore/kancer), personat mbi 65 vjeç, banorët dhe personeli i institucioneve të kujdesit afatgjatë, personat obezë, personat me imunitet të kompromentuar, gratë shtatzëna, fëmijët mbi 6 muajsh, sidomos ata me sëmundje bashkëshoqëruese, mësuesit dhe edukatorët, personeli i ushtrisë dhe forcave të rendit.
“Vaksinimi i rregullt është i domosdoshëm, sepse virusi i gripit ndryshon çdo vit dhe vaksina përditësohet për t’u mbrojtur nga shtamet më të fundit. Mbrojtja e vaksinës është më e fortë në 3–4 muajt e parë pas injektimit dhe zgjat rreth gjashtë muaj. Vaksina ul ndjeshëm rrezikun e komplikacioneve serioze, sidomos te grupet e riskut, si edhe parandalon shtrimet në spital dhe humbjet e jetës”, tha Daja. Sipas Dajës, efektet anësore më të shpeshta të vaksinës antigrip janë dhimbje, skuqje ose ënjtje në vendin e injektimit, ethe, dobësi, dhimbje muskujsh, të cilat shfaqen brenda disa orëve pas vaksinimit dhe zgjasin 1–2 ditë.
Daja tha se “efekte shumë të rralla janë reaksione alergjike serioze si anafilaksia. Për këtë arsye çdo pikë vaksinimi është e pajisur me mjetet për menaxhimin e emergjencave”. “Është e rëndësishme të theksohet se vaksina e gripit nuk përmban virus të gjallë, por virus të dobësuar që nuk mund të shkaktojë grip”, tha ajo. Daja tha se fushata e vaksinimit antigrip ka një ndryshim këtë vit krahasuar me periudhat e kaluara dhe kjo lidhet me interesin në rritje nga popullata që në javën e parë të fushatës.
