Policia e Tiranës bën të ditur se është arrestuar Albano Beqiraj, pjesë e grupit kriminal me pagesë të kryesuar nga Admir Tafilaj i dënuar me burgim të përjetshëm.
Beqiraj sipas policisë, është dënuar nga gjykata e krimeve të rënda si anëtar i grupit i cili siguronte kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasje dhe është dënuar pesë vite më parë me 4 vjet burgim.
“Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit Albano Beqiraj, 29 vjeç, i cili, me vendimet penale të Gjykatës Shkallës Parë për Krimet e Rënda Tiranë dhe Gjykatës Apelit për Krimet e Rënda Tiranë, është dënuar me 4 vite burgim, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje””, thotë policia e Tiranës.
Beqiraj ka kryer një pjesë të dënimit, ndërkohë që i ka ngelur për të shlyer pas rishikimit të çështjes dhe 1 vit e 2 muaj burg.
Nga hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda rezultoi se grupi i personave merrte porosi dhe ka realizuar vrasje, disa të mbetura në tentativë, në këmbim të shumave të konsiderueshme të parave.
