Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë njoftuar se deklaratat përmbyllëse në gjyqin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, do të mbahen më 10, 11 dhe 14 shtator.
Pesë të akuzuarit përballen me akuza për pengim të drejtësisë, të lidhura me pretendimet se, gjatë periudhës prill–nëntor 2023, kanë ndikuar te dëshmitarët e thirrur nga Prokuroria në procesin gjyqësor për krime lufte kundër Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Ndaj Hashim Thaçit janë ngritur tri akuza për tentim të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe tetë akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu akuzohen secili për një vepër të tentimit për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe një akuzë për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërkaq, Hajredin Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat.
Procesi gjyqësor ndaj tyre nisi më 27 shkurt, ndërsa Prokuroria përfundoi paraqitjen e provave më 13 mars.
Ndërkohë, më 16 shtator pritet të shpallet aktgjykimi në procesin kryesor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë vrasje, torturë dhe përndjekje, që pretendohet se janë kryer gjatë viteve 1998–1999, në kohën e luftës në Kosovë.
Të katërt ish-krerët e UÇK-së i kanë mohuar të gjitha akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm. Prokuroria ka kërkuar që secili prej tyre të shpallet fajtor dhe të dënohet me nga 45 vjet burgim.
Gjatë procesit gjyqësor, i cili përfundoi në shkurt, dëshmuan mbi 130 dëshmitarë, ndërsa u pranuan me shkrim edhe 160 deklarata të tjera. Të akuzuarit ndodhen në paraburgim në Hagë që nga arrestimi i tyre në vitin 2020.
Gjykata Speciale është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por funksionon me gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë.
Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nxitur reagime të shumta në Kosovë, ku është kritikuar si i njëanshëm, me argumentin se nuk trajton krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës.
Në mbështetje të të akuzuarve janë organizuar protesta në Prishtinë dhe qytete të tjera, ndërsa në shumë zona të Kosovës janë vendosur pankarta me mesazhin “Liria ka emër”. Mijëra qytetarë morën pjesë edhe në protestën “Drejtësi, jo politikë”, të mbajtur më 17 shkurt të këtij viti në Prishtinë, në përkrahje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
