Gjatë vizitës së tij në Vlorë kryeministri Edi Rama ka inspektuar edhe rikonstruksionin e një shkolle duke dhënë dhe porosi për drejtuesit e këtyre institucioneve për mbarëvajtjen e procesit mësimor në kushtet e pandemisë.
Rama thotë se është e vështirë që fëmijët të kuptojnë masat e reja, por këto nuk bëhen me rreshtore e britma por me shpjegim, duke sjellë në vëmendje dhe djalin e tij Zaho, i cili këtë vit shkon në klasë të parë.
Dritan Leli: Godina ka sistem ngrohje dhe ftohje, hapësirë sportive. Ky është një investim 50% nga bashkia e Vlorës, dhe 50% nga Ministria e Arsimit. Kjo është ndër shkollat më të mira sa i takon standardit në Vlorë.
Rama: Shkolla është super, fantastike. Ishte në gjendje të tmerrshme eh?!
Leli: Po. Ka qenë ekzistuese.
Rama: Ky vit shkollor ka sfida. Na është dashur që të marrim këtë vendim të vështirë. Sa e kemi ndjekur, të gjithë shtetet po e marrin. Është vendim i vështirë, pasi edhe pse thuhet dhe faktet thonë se fëmijët janë më pak të rrezikuar. Kjo nuk është e vërtetë për të gjithë fëmijët. Fëmijët mund të jenë më pak të rrezikuar, por janë transmetues. Midis te dyjave, ne kemi bere këtë zgjedhje. Rolin e posaçëm e keni ju në dorë, që të jeni strikt e të duruar. S’bëhet kjo me rreshtore e britma, duhet dhe me shpjegim. Hajde shpjegoja Zahos se pse nuk duhet të takohet me shokun. Se pse duhet t’i rrish shokut larg, e pse duhet të lash duart vazhdimisht. Është shumë e vështirë.
