Kuotat e pranimit në Kolegjin Profesional të Formimit Policor, në Akademinë e Sigurisë, janë 300, të ndara sipas nevojave organike të drejtorive vendore të Policisë.
Dokumentacioni duhet të dorëzohet pranë drejtorisë vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.
Në përfundim të të gjitha fazave të konkurrimit, 300 aplikantët që do të rezultojnë fitues në listën e qarkut ku kanë aplikuar, bazuar në kuotat e vendosura për çdo qark, do të ndjekin studimet për “Patrullë të Përgjithshme”, në Akademinë e Sigurisë.
*Aplikantët e shpallur fitues në muajin qershor të vitit 2023, të cilët janë në listë pritjeje, nuk duhet të konkurrojnë, pasi ata do të vazhdojnë procesin e shkollimit, në fillim të vitit 2024. *
KRITERET PËR APLIKIM
Kriteret, që duhet të përmbushë aplikanti, për të ndjekur studimet në shkollën bazë të Policisë, për “Patrullë të Përgjithshme”, janë:
– Të jetë shtetas shqiptar;
– Të jetë jo më shumë se 30 vjeç;
– Të jetë me gjatësi jo më pak se 165 cm për meshkujt dhe jo më pak se 160 cm për femrat;
– Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të sigurisë kombëtare apo të jetë larguar nga shërbimi civil;
– Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
– Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën;
– Të ketë mbaruar arsimin e mesëm;
– Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e një krimi ose të një kundërvajtjeje penale me dashje;
– Të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit, të tipit “B”;
– Të jetë i pajisur me vërtetim besueshmërie.
DOKUMENTACIONI PËR APLIKIM
Aplikantët duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm, për aplikim në Polici:
– Formularin e aplikimit;
– Fotokopje të kartës së identitetit;
– Dokument zyrtar që vërteton përfundimin e arsimit të mesëm;
– Fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit, të tipit “B”;
– Vërtetim nga gjykata;
– Vërtetim nga prokuroria;
– Mandat-pagesa e tarifës së aplikimit.
Kontrolli mjekësor dhe analiza që vërteton se nuk je përdorues i lëndëve narkotike janë procedura që kryhen në fazën e kontrollit shëndetësor.
Dëshmia e penalitetit dhe certifikata familjare nxirren nga vetë strukturat policore ku kryhet aplikimi.
SHQYRTIMI I DOKUMENTACIONIT DHE PROCESI I ANKIMIMIT
Afati i shqyrtimit dhe i verifikimit të dokumentacionit është 10 ditë pune nga mbyllja e afatit të aplikimeve.
Aplikanti që nuk plotëson kriteret dhe nuk ka paraqitur dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të aplikimit, skualifikohet dhe njoftohet me shkrim nga strukturat e Burimeve Njerëzore.
Aplikanti ka të drejtën e ankimimit tek Drejtoria Vendore e Policisë, brenda 2 ditëve nga data e njoftimit të përgjigjes.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë shqyrton ankimimin dhe kthen përgjigje brenda 5 ditëve nga data e marrjes së ankesës.
FAZAT E KONKURRIMIT
Aplikanti që kualifikohet për të vazhduar më tej procesin e konkurrimit, në Akademinë e Sigurisë, i nënshtrohet fazave të mëposhtme:
– Testimi me shkrim;
– Testimi i aftësive fizike;
– Intervista me gojë, ushtrime vlerësuese dhe testim i aftësive të të shkruarit;
– Testimi psikologjik;
– Kontrolli shëndetësor;
– Marrja e shenjave të gishtave;
– Verifikimi përfundimtar i aplikantit.
