Një prej tuneleve nëntokësorë pranë “Sheshit Shqiponja” është hapur për kalimin e automjeteve që vijnë nga rruga “Dritan Hoxha” për të dalë në autostradën Tiranë-Durrës.
Vetëm ministrja Belind Balluku e shoqëruar nga drejtori i ARRSH-së, Ergys Vjerdha dhe policia rrugore tha se ky do të jetë një kalim provizor për të shfryrë disi qarkullimin, ndërsa në përfundimit të punimeve në dhjetor 2021, do të kenë të tjerë funksione.
Tuneli numër 4, i cili ndodhet në krahun e Doganës, do të shërbejë për të liruar trafikun e automjeteve që vijnë nga kryeqyteti në drejtim të Durrësit dhe anasjelltas.
Javën e ardhshme pritet të hapet edhe tuneli 3, i cili ndodhet në fazë intensive punimesh dhe do të përdoret për makinat që vijnë nga Durrësi për në Tiranë. Roli i kësaj pjese të nënkalimit “Shqiponja” në përfundimin e veprës do të jetë për qarkullimin e makinave që kalojnë nga Pallati me Shigjeta në drejtim të Durrësit, por ky spostim është i përkohshëm për të ndihmuar në uljen e trafikut.
Autoritetet thonë se hapja e tuneleve do të ishte bërë më parë nëse do të kishte ndihmuar moti i mirë. Punimet në Sheshin Shqiponja parashikohet të përfundojnë në Shkurt të vitit të ardhshëm, ndërsa autoritetet thonë se vepra do të jetë gati në Dhjetor të këtij viti në bazë të ecurisë së shpejtë që kanë patur punimet.
Unaza e Madhe e kryeqytetit përbën një segment prej 27 kilometrash të gjatë, e cila do t’i kushtojë në total buxhetit një vlerë prej 330 milion eurosh. Rruga projektohet të jetë gati e gjitha në vitin 2023.
