Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka marrë pjesë në inaugurimin e segmentit të dytë të Bulevardit të Ri, ku prej kësaj të hëne nis qarkullimi me rrugët “Siri Kodra” dhe “Jordan Misja”.
Ai e quajti këtë projekt si shembull të kontrastit mes atyre që punojnë dhe atyre që sabotojnë. “Kur filluam punën për bulevardin kishte vetëm një tabelë që thoshte: Nuk na lënë të punojmë! Ndërkohë, si Saliu, si Luli, bashkë ishin edhe në bashki, edhe në qeveri, dhe kishin kohë të punonin. Sot e kuptojmë që në fakt, ata që nuk të lënë të punosh janë ata vetë dhe fakti që sabotohet Unaza e Madhe, fakti që sabotohen lodrat te Liqeni, fakti që sabotohet Bulevardi i Ri, shkollat, çdo lloj pune publike në Tiranë, do të thotë se paska një pjesë të politikës që nuk ia do të mirën këtij vendi, nuk do që ky vend të bëjë përpara!”, u shpreh Veliaj.
Më tej, kryebashkiaku theksoi se ashtu si në këtë bulevard, puna nuk do të ndalet në asnjë projekt tjetër të Bashkisë së Tiranës. “Për pak ditë përgatitemi të festojmë 99-vjetorin e Tiranës kryeqytet. Kemi 99 vjet që vazhdojmë të mbarojmë projektin që nisën italianët, kur vjen puna tek bulevardi dhe aksi origjinal i tij, i konceptuar nga italianët, i cili mbeti pa u mbaruar edhe nga komunistët, edhe nga kjo përpëlitja jonë 30-vjeçare. Ndaj, për të gjithë ata që duan ta shohin Tiranën Zonjë, do të duhet që të mbështetin Tiranën e punës, Tiranën e pastër, Tiranën e drejtë, Tiranën që nuk bllokohet nga një minorancë e zhurmshme, por që fuqizohet nga një shumicë e heshtur”, theksoi Veliaj.
Ai vuri në dukje se projekti i Bulevardit të Ri po vijon edhe për pjesën tjetër, ndërsa bëri të ditur se ai do të mbyllet me një shesh ceremonial, i ngjashëm me sheshin “Nënë Tereza”. Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që ta mirëmbajnë këtë investim dhe të mos e vandalizojnë. “Jo vetëm që ky investim ka ecur sipas planit, pavarësisht se humbëm 4 vjet, rikuperuam gjithë kohën e humbur, po përgatitemi që në sheshin final, i cili do të jetë simotra e sheshit “Nënë Tereza”, të bëjmë një investim të jashtëzakonshëm, të jetë një shesh modern, krahasuar me sheshin klasik që kemi në fund nga ku duket Universiteti i Tiranës”, shtoi ai.
Kryebashkiaku theksoi se ky bulevard do jetë boshti i asaj që nesër do të quhet Tirana e së ardhmes. Veliaj tha se këtu do të vendosen shumë institucione publike dhe të biznesit, çka pritet ta bëjë atë një nga zonat më të mira të Tiranës. “Bashkia e Tiranës ka hartuar të gjitha PDV-të e Bulevardit të Ri: kjo është hapësira ku presim zhvillimin për zyra, institucione, banka, por edhe për disa nga dikasteret e Republikës sonë. Jemi duke folur me kryeministrin për të transferuar këtu Bibliotekën Kombëtare, e cila ka nevojë për më shumë hapësirë. Tirana sot ka nevojë të zgjerohet në këtë drejtim dhe besoj që pas 99 vitesh kryeqytet, apo 50 vitesh mbas fillimit të projekteve të asaj që quhet deri dje Tirana e Re, mund të themi me plot gojën se Tirana e re e 100 viteve të dyta si kryeqytet, do të jetë zona e Bulevardit të Ri dhe gjithë ky zhvillim fantastik që po shohim këtu”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.