Dardan Malaj/ Sistemi i ri i shartuar i listave të hapura dhe të mbyllura të kandidatëve për deputetë pritet të testohet për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike do ta kenë të lehtë të paracaktojnë tashmë respektivisht nga 46 deputetë të cilët do të jenë pjesë e listave të mbyllura. Këta kandidatë nuk do ti nënshtrohen votës preferenciale dhe referuar rezultatit të zgjedhjeve të fundit të vitit 2021 ata mund të konsiderohen defakto të zgjedhur sapo listat e mbyllura të depozitohen në KQZ. Pra, bëhet fjalë për 92 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë që mandatohen nga listat e mbyllura të PS dhe PD.
Për efekt studimi, nëse marrim të mirëqenë numrin e mandateve të fituara nga kampi opozitar (63) PD/LSI etj në vitin 2021 përballë atij PS/PSD (77), del se për të njëjtin rezultat sipas qarqeve respektive, në opozitë do të përplaseshin në rang vendi brenda listave të hapura 117 kandidatë për vetëm 17 mandate ndërsa në mazhorancë 132 kandidatë për 31 mandate. Pra, “lufta” politike pritet të bëhet për 48 mandatet e mbetura që përcaktohen nga vota preferenciale e listave të hapura. Brenda këtyre mandateve do të përqëndrohet beteja dhe ndonjë rezultat surprizë i partive të reja të cilat kryesisht shanset i kanë në Qarkun e Tiranës.
Mungesa e garës në opozitë ka gjasa që të dekurajojë plotësisht kandidatët e përfshirë në listat e hapura. Në tre qarqe (Berat, Gjirokastër, Vlorë) mund të mos ketë garë fare ndërsa për 9 qarqet e tjera shanset e tyre për tu zgjedhur janë në pjesën më të madhe minimale. Shto këtu faktin që në listat e mbyllura, PD do duhet të përfshijë edhe së paku krerët e partive aleate.
Ndërkohë, në kampin socialist, me përjashtim të dy qarqeve ku në dukje nuk ka garë (Kukës & Dibër), në të tjerat gara pritet të jetë e ashpër brenda llojit. Llogaritur të qenit parti në pushtet, paralajmërimin e vendosjes së figurave tradicionale në listën e hapur apo edhe detyrimin për respektimin e kuotës gjinore, përplasja mund të shkaktojë jo pak tension.
Si në rastin e PS ashtu dhe tek PD, marrë në konsideratë se çdo kandidat i përfshirë në listën e fiksuar (mbyllur) ka në kujdestari një territor të caktuar brenda Qarkut; duke ditur faktin se këta kandidatë nuk kanë nevojë për votë individuale pasi nuk janë pjesë e fletës së votimit; mbetet për tu parë edhe “trafiku i influencës” mes kandidatëve të listës së hapur për të përthithur vota nga këto “rezervuare elektorale” brenda qarqeve, që shkojnë përtej zonave të tyre të kujdestarisë.
Rrisku i madh i përballjeve të forta brenda llojit në listat e hapura mund të bëjë që përveç akuzave mes kampeve politike rivale për procesin zgjedhor, të vërshojnë edhe akuzat brenda llojit si në PD ashtu edhe në PS.
Në një vend si Shqipëria ku mosbesimi politik është ndoshta “institucioni” më i konsoliduar, të tillë elementë që u bashkëngjiten dhe pretendimet për votën e emigrantëve mund të kthehen në shtratin për kontestimin politik të rezultatit si shenjë e mospranimit të humbjes. Sinjalet e para për këtë sjellje tashmë janë shfaqur dukshëm! Vota e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit mund të ketë fatin e votim/numërimit elektronik që deri dje kërkohej nga të gjithë në 100% të territorit ndërsa sot refuzohet nga opozita për tu zbatuar qoftë edhe vetëm në një qark.