Presidenti Ilir Meta ka reaguar rreth shqetësimeve që ka sjellë propozimi për hartën e re gjyqësore, duke theksuar se vendi ynë ka nevojë urgjente për gjyqtarë e prokurorë të plotësojnë vendet bosh të krijuara në sistemin e drejtësisë.
“Kjo gjendje është e papranueshme dhe duhet t’i shqetësojë të gjithë.
Si President i Republikës, prej më shumë se 3 vitesh kam kërkuar zyrtarisht dhe kam përsëritur thirrjen në adresë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, institucioneve të tjera qeverisëse të sistemit të drejtësisë, por dhe aktorëve dhe institucioneve të tjerë vendimmarrës se, duhet të angazhohen me seriozitet dhe me ritme më të shpejta për të plotësuar të gjitha vakancat e krijuara në sistemin gjyqësor.
Shqipëria ka nevojë jetike për një sistem drejtësie të pavarur, por dhe plotësisht funksional dhe efiçent. Qytetarët presin drejtësi dhe e meritojnë atë që të jepet, brenda afateve të arsyeshme”, tha Meta.