Propozimi i Partisë Socialiste për hartën e re administrativo-territoriale, që parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, i është dërguar zyrtarisht kryetarëve të bashkive dhe këshillave bashkiakë që preken nga ndryshimet.
Në dokumentin e shpërndarë kërkohet që drejtuesit vendorë të paraqesin një qëndrim të argumentuar lidhur me propozimin, i cili parashikon shkrirjen e disa bashkive dhe bashkimin e tyre me njësi të tjera vendore.
Kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë duhet të argumentojnë kundërshtimet ose të paraqesin propozime alternative. Sipas ligjit, ata kanë 60 ditë afat për të kthyer përgjigjet e tyre. Gjatë kësaj periudhe, procesi duhet të shoqërohet edhe me dëgjesa publike dhe konsultime me qytetarët.
Në përfundim të konsultimeve, secila bashki do të dorëzojë në Kuvend një dokument zyrtar me qëndrimin dhe argumentet e saj, të cilat do të shqyrtohen përpara se projekt-harta të rikthehet për diskutim dhe votim në Parlament.
Propozimi i Partisë Socialiste parashikon një model të ri organizimi territorial, të bazuar në strukturën bashki–qytet–njësi administrative, në vend të modelit aktual bashki–njësi administrative.
Sipas socialistëve, kjo skemë synon të ruajë identitetin e çdo zone urbane, duke garantuar njëkohësisht vazhdimësinë e ofrimit të shërbimeve në godinat ekzistuese të bashkive.
Sipas projektit, nuk parashikohen ndryshime në qarqet e Kukësit, Durrësit dhe Lezhës. Tirana është i vetmi qark që preket në aspektin territorial, pasi propozohet që Rinasi të kalojë në administrimin e Bashkisë Tiranë, duke u shkëputur nga Bashkia Krujë. Gjithashtu, propozohet bashkimi i Bashkisë Rrogozhinë me Bashkinë Kavajë.
Ndryshimet më të mëdha parashikohen në qarqet e Elbasanit dhe Gjirokastrës, ku propozohet shkrirja e tre bashkive.
Mazhoranca e argumenton reformën me nevojën për krijimin e bashkive më të fuqishme dhe më funksionale, të afta për të përballuar sfidat e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Pas përfundimit të konsultimeve publike dhe institucionale, harta e re territoriale pritet t’i rikthehet Kuvendit për miratim në fillim të muajit tetor.
