Koloneli Myslim Pashaj që i vetëm ktheu paktin detar me Greqinë duke bindur edhe Gjykatën tonë Kushtetuese, ngre alarmin për “pushtimin” e heshtur që fqinji ynë jugor po i bën detit tonë.
Profesor Pashaj thekson se në sy të të gjithë botës Deti territorial i Shqipërisë në Jonin Verior gjendet i pushtuar dhe Shqipëria nuk është e zonja ta mbrojë, ndërsa risjell edhe skicën që vërteton një shkelje të tillë.
“Pakti Detar me Greqinë i cili vijon të jetë në negocim e sipër, tanimë ka një histori të gjatë që ju e keni ndjekur me kërshëri dhe ndjesi shumë të lartë kombëtare. Kjo është një nga skicat e para me autorësinë time, për pozicionimin e Detit Territorial midis të dy vendeve: Greqi-Shqipëri. E pa përfshirë brenda saj është, Hapësira Ekonomike Ekskluzive e cila është pjesë që duhet ndarë midis Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë. Vini re me vëmendje se që nga Vijat e bardha e deri në Piramidën tokësore 30 , janë 112 km vijë gjatësore ku deti në shtrirje të tij mes të dy vendeve është njelloj si dhe hapësira tokësore. (Kurse EEZ nuk është e përfshirë). Shqipëria deri tash, nuk është e zonja të njohë, të mbrojë, të shpalosë në të Drejtën e saj Ndërkombëtare. Pra në sy të të gjithë botës Deti territorial i Shqipërisë në Jonin Verior gjendet i pushtuar dhe vendi im dhe vendi juaj, nuk është i zoti ta mbrojë. Asaj nate kur skicova këtë hapësire ishte 19 QERSHOR 2009. Njëmbëdhjetë vjet më vonë dhe zyrtatë të lartë të Shqipërisë kanë frikë të flasin për Detin e tyre dhe përpiqen të manipulojnë hapësira reale me terma të cilat habisin çdo diplomat dhe specilist të së drejtës detare. Ndërsa përgatitem që të kthehem në vendin tim, sepse një det i tërë i infektuar me Coronavirus-in historik i kishin mbyllur kufinjtë”, thekson Pashaj nga Washington DC.

