Një ditë pasi mori detyrën si Prokuror i Përgjithshëm, Olsian Çelaj është ndalur në organin e akuzës në Durrës ku kanë nisur hetimet për ndërtimet që sollën humbje jete dhe dëme të shumta në ndërtimet pas tërmetit të fuqishëm të 26 nëntorit.
Gjatë fjalës së tij kryepokurori tha se hetimet kanë nxjerrë dhe një element me rëndësi siç është ajo e problemeve dhe mangësive me legjislacionin në fuqi. Ai tha se këto hetime duhet të shërbejnë për të propozuar ndryshime të rëndësishme në ligj që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.
“Ajo që dua ta theksoj si element me rëndësi, po dalin probleme të caktuara me legjislaiconin në fuqi, apo dhe me mangësitë që legjislacioni ka. Në këto kushte besoj se hetimi në fund do shërbejë për të propozuar ndryshime të rëndësishme në ligj që ngjarje të tilla të mos përsëriten më”, tha Çelaj.
Kryeprokurori tha se ka njerëz që kanë shkelur ligjin dhe përgjegjësia që do të mbahet do të jetë maksimale, dhe këtu sipas tij nuk bëhet fjalë vetëm për ndërtuesit por dhe njerëz të tjerë të organeve të drejtësisë duke theksuar se përgjegjësia do të shkojë atje ku është.
“Siç thashë dhe në fillim ka njerëz që ka shkelur ligje dhe përgjegjësia që do të mbahet do të jetë maksimale. Përgjegjësia do të shkojë atje ku është, kudo që prokurorët do mbledhin prova që ka elementë të përgjegjësiëë penale nuk do ketë hezitim për asnjë rast”, vijoi kryeprokurori.