Një ish-punonjës lavazhi pretendon se u detyrua të punonte pa pagesë, të ndante një shtëpi me dhjetëra të tjerë dhe të mbijetonte me vetëm 10 paund për t’u ushqyer. E pas kësaj skllavërie moderne, ai akuzon se qëndrojnë 3 shqiptarë.
Duke folur para gjykatës së Chelmsford në Britani, Nicolai Candelea tha se kishte shkuar në Mbretërinë e Bashkuar nga Rumania, pasi kishte parë një postim në Facebook, për punë dhe akomodim.
Ai punoi për një javë tek dy vëllezër shqiptar, Saimir dhe Benard Leshi, si dhe për të afërmin e tyre Andriatik Leshi, në Clacton-on-Sea të Essex, por nuk u pagua asnjëherë. Sipas asaj që shkruan BBC, të tre shqiptarët i mohojnë akuzat për skllavëri moderne.
Candelea tha se ai priste që të shkonte në Chesterfield, por e kishin çuar në Clacton. Akomodimi i siguruar nga tre shqiptarët, sipas tij ishte një kasolle e pistë që nuk duhet të ishte në këmbë. Kishte vetëm një tualet dhe ndahej mes 13 personave. E vetmja mënyrë për të larë rrobat ishte një lavaman.
Gjatë seancës gjyqësore u zbulua se një moment që mbërriti në Essex, Candeleas iu mor karta e identitetit dhe kur e kërkoi mbrapsht, ata e bënë të betohej se nuk do të shkonte në polici.
Punonte në lavazh çdo ditë nga ora 08:00 deri në 19:30 dhe tha se duhet t’u lutej Leshajve që të bënte 5 minuta pushim. “Edhe një javë tjetër atje dhe do kisha rënë përtokë”, tha Candelea para gjykatës.
Gjithnjë sipas këtij të fundit, ai dhe punonjësit e tij lanin rreth 400 makina në javë, transmeton tvKlan.Por për avokatin mbrojtës të shqiptarëve, ky ishte “ekzagjerim”.
Mathew Dance tha gjithashtu se Candelea nuk ishte paguar për shkak se rroga e tij shkonte për shlyerjen e shpenzimeve të udhëtimit të tij në Britani, fakt për të cilin Candelea pranoi se kishte rënë dakord.
Gjyqi për 29-vjeçarin Saimir Leshi, vëllain e tij Bernard Leshi, 27-vjeç dhe Adriak Leshin, 43-vjeç, vijon.
