Në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës për viktimat e Holokaustit u zhvillua sot paradite ceremonia e shpalljes së Shqipërisë “Shtëpi të Jetës” nga Fondacioni Ndërkombëtar “Raoul Wallenberg” që u kurorëzua me përurimin e pllakatit.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet për Parlamentin, Elisa Spiropali, e pranishme në këtë ceremoni, u shpreh se “Të lidhur me Besa-Besë, shqiptarët i dhanë botës mesazhin se kurajoja dhe humanizmi janë etalon i gdhendur ndër shekuj në viset tona, duke i strehuar dhe mbrojtur hebrenjtë, pa u frikur për t’i dorëzuar nazistëve asnjë prej tyre.”
“Do të jemi gjithmonë strehë e paqtë, ashtu si vend i harmonisë fetare, Besës, nderit dhe respektit.”–shkruan më tej, ministrja Spiropali në rrjetet sociale.
Statusi i plotë:
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit në nderim të viktimave të Holokaustit, Shqipëria u shpall “Shtëpia e Jetës” nga Fondacioni Ndërkombëtar ‘Raoul Wallenberg”
Vend unik ku numri i hebrenjve nuk u pakësua, por u shtua gjatë Luftës, si një parajsë e sigurtë për refugjatët që i iknin terrorit.
Të lidhur me Besa-Besë, shqiptarët i dhanë botës mesazhin se kurajoja dhe humanizmi janë etalon i gdhendur ndër shekuj në viset tona, duke i strehuar dhe mbrojtur hebrenjtë, pa u frikur për t’i dorëzuar nazistëve asnjë prej tyre.
Përkujtojmë me nderim të thellë viktimat e Holokaustit, një prej masakrave më të mëdha që ka njohur historia e njerëzimit, duke u zotuar se do të jemi gjithmonë strehë e paqtë, ashtu si vend i harmonisë fetare, Besës, nderit dhe respektit.”
Në ceremoni ishin të pranishëm përfaqësues të trupit diplomatik, deputetë të Grupit të Miqësisë Shqipëri-Izrael, ministra, krerë të bashkësive fetare si dhe familje shqiptare që kanë shpëtuar dhe mbrojtur hebrenjtë gjatë Holokaustit.


