Kompania Twitter ka mbyllur përkohësisht zyrat e saj si dhe ka ndërprerë aksesin e punonjësve në sistemet e brendshme. Një vendim i tillë erdhi pasi Elon Musk, pronari i ri i Twitter vendosi të shkarkojë rreth 50% të punonjësve të kompanisë pa paralajmërim.
I vetmi paralajmërim që bëri Musk, ishte një mesazh për punonjësit se në llogaritë e tyre të e-mailit të punës do mbërrinte një informacion ku do u bëhej me dije nëse ishin shkarkuar ose jo.
Shumë prej punonjësve kanë reaguar në Twitter se pa u ardhur një email i tillë, atyre u është ndaluar aksesi në sistemet e brendshme.
Vendimi i Elon Musk për shkarkimin e punonjësve, duket se ka ardhur për shkak të rënies së reklamave. Në një postim në llogarinë e tij, Musk tha se u është bërë presion kompanive të mëdha që të tërheqin reklamat e tyre nga platforma sociale, duke sjellë kështu një rënie të konsiderueshme të të ardhurave të Twitter.
Kompani të tilla si Audi, General Motors, General Mills dhe Pfizer ishin ndër firmat e para që tërhoqën dhe ndaluan shpenzimet e tyre për reklamim në platformën sociale.
“Twitter ka pësuar një rënie të konsiderueshme të të ardhurave për shkak se grupet e aktivistëve po i bëjnë presion reklamuesve. Këto presione janë shtuar pavarësisht se ne nuk kemi ndryshuar asgjë në mënyrën e funksionimit të rrjetit social. Çdo gjë është ngatërruar tani. Aktivistët kërkojnë që të shkatërrojnë lirinë e shprehjes në Amerikë” – shkruan Musk në një postim.
Një tjetër problematikë që do të sjellë shkarkimi nga puna e një pjese të konsiderueshme të stafit, do të jetë kontrolli i përmbajtjeve që do të publikohen në rrjetin social. Kjo do e bëjë akoma më të vështirë fushatën zgjedhore për Kongresin amerikan, duke e shtuar rrezikun për shpërndarjen e informacioneve të rreme.
Sipas The Guardian, Musk ka shkarkuar nga detyra të gjithë ekipin e “kurimit” të postimeve. Ky ekip luan një rol kyç sidomos për postimet që kanë përmbajtje zgjedhore, lajmet e fundit apo dhe për evenimentet sportive.