Roland Milo u arrestua në Vaqarr të Tiranës, si autor i dyshuar i vrasjes së shokut të tij, Sokol Rama. Ai ka pranuar autorësinë duke thënë se kanë pasur një mosmarëveshje për ndarjen e parave. Të dy ishin të përfshirë në trafik droge drejt Greqisë dhe shkak ka qenë prishja e këtyre pazarave.
Mësohet se Milo e shfrytëzonte Ramën për trafikim të lëndëve narkotike. Pas rrugës së fundit, ku Milo ishte dhe posedues i sasisë së lëndës narkotike, ai refuzoi t’i paguante 32-vjeçarit Rama shumën për të cilën kishin rëndë dakord. Debati mes tyre përfundoi me vrasjen e të riut nga Tepelena. Një ditë pas gjetjes së trupit të Sokol Ramës, forcat e Policisë bënë të mundur arrestimin e 40-vjeçarit në Vaqarr të Tiranës, ku fshihej në banesën e motrës së tij.
“Nuk doja ta vrisja, por e humba logjikën dhe e qëllova pas një debati që patëm për një shumë parash, që duhet t’i jepja”, është shprehur 40-vjeçari para hetuesve. Sokol Rama nga fshati Mamaj i Tepelenës, djalë i vetëm mes katër motrave, i rritur në një familje të varfër fshatare, u shpall i zhdukur në 5 shkurt, pas denoncimit të familjarëve të tij.
Ai ndërpreu kontaktet me familjen mbrëmjen e 4 shkurtit, ndërsa në mëngjes i pohoi së ëmës se do të shkonte në Përmet të takonte një shok. Milo u deklarua i zhdukur tri ditë më pas. Trupi i pajetë i Sokol Ramës u gjet paraditen e 19 shkurtit, pas sinjalizimit të banorëve të zonës, ndërsa Policia e Tepelenës kishte identifikuar më herët si autor të vrasjes Roland Milon, të shpallur në kërkim policor.
Policia e Gjirokastrës po heton lidhur me pretendimet e familjarëve të 32-vjeçarit nga Tepelena, se Sokol Rama ka pasur në makinë një shumë prej 10 mijë eurosh kur është nisur drejt Përmetit për t’u takuar pikërisht me Roland Milon. Familjarët kanë treguar për Policinë se Sokoli nuk u kishte treguar shumë detaje, por ishte mjaftuar duke u treguar se po shkonte për të takuar një shok. Prindërit e 32-vjeçarit iu drejtuan Policisë për të bërë denoncim, pasi telefoni i të birit dilte i fikur.