Mirsad Avdiaj, djali i madh i familjes, katër anëtarët e të cilës u shuan në një aksident automobilistik, ndihet si pjesë e një filmi të keq horror.
Në një rrëfim për të përditshmen zvicerane ‘Blick’, Mirsadi shprehet se katër familjarët e tij, motra, vëllai, nëna e babai do të udhëtonin drejt Zvicrës ku dhe ai ndodhet dhe ishin mjaft të lumtur, por rruga iu pre në mes.
I riu tregon se të atin e kishte shokun më të mirë dhe se ishte i lumtur që edhe më të vegjlit e familjes së tyre, do të shkonin në Zvicër. Për Violetën, të voglën që i mbijetoi aksidentit, Mirsadi shprehet se është rëndë ende.
“Ndihem sikur jam në një film të keq horror. Ende nuk mund të mendoj qartë. Babai im ishte shoku im më i mire. Unë i kam dashur aq shumë të gjithë, Klejdi ishte si mishi dhe gjaku im. Babai donte të sillte në Zvicër vogëlushët që ende jetonin në Shqipëri.
Ai ishte aq i lumtur. Violeta është dëmtuar rëndë, por ishte në gjendje të thoshte disa fjalë të Premten. Mjekët kanë besim se ajo do të shërohet. Tani shpresoj se ata të gjithë e kanë gjetur paqen e tyre në parajsë,”- shprehet Mirsadi.
Ngjarja e rëndë ndodhi në Rubik, teksa mjeti me të cilin udhëtonte familja u përplas me një kamion. Për pasojë, ndërruan jetë katër anëtarët e familjes Avdiaj, Blerimi, Anjeza, Kledi, e Medina, ndërsa Violeta ndodhet ende në spital. të ndjerët do të varrosen në Prishtinë.
