Nga dita e sotme hyn në fuqi regjimi i posaçëm i izolimit për të burgosurit, të cilët nuk i lejohen kontaktet me njerëz jashtë qelive dhe takimet me familjarët do të jenë të monitoruara, apo siç njihet ndryshe “41-bis”.
Qëllimi i saj është goditja ndaj veprimit dhe depërtimit të krimit në burgje. Fillimisht do të izolohen rreptësisht 270 të dënuar apo persona nën hetim nën paraburgim, ku do të kenë zero kontakte me botën e jashtme. Subjekte të ligjit të ndryshuar për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve, janë të dënuarit dhe të paraburgosurit që hetohen apo gjykohen për kryerjen e 22 veprave penale të rënda pe penale.
Sipas ligjit të ndryshuar që ka hyrë në fuqi jo të gjithë këta të dënuar do të izolohen. Izolimi do të bëhet në raste të veçanta, kur për një të dënuar apo të paraburgosur që ka kryer një nga këto 22 vepra penale, ka dyshime se vijon kontaktet me botën e jashtme, në funksion të aktivitetit kriminal.
Sa i takon kategorive, përfshihen të dënuarit dhe të paraburgosurit për veprën penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, për vrasjen e funksionarëve publikë dhe të punonjësve të policisë. Gjithashtu mund të izolohet çdo i dënuar apo i paraburgosur për të gjitha veprat penale me qëllime terroriste, ku përfshihet edhe financimi, dhënia e informacionit, fshehja e fondeve, rekrutimet, rrëmbimet etj.
Mund të izolohen edhe të dënuarit si anëtarë apo drejtues të bandave të armatosura, organizatave kriminale dhe grupeve të strukturuara kriminale. Gjithashtu përfshihen të dënuarit dhe të paraburgosurit për organizimin e prodhimit dhe shitjes së drogës, organizimin e trafikut të drogës, kultivimin etj.
