Franci është 19 vjeç dhe jeton në Elbasan. Kur ishte 2 vjeç, Franci humbi të ëmën dhe babai u fut në burg pasi i vrau të ëmën.
“Është gjëja më e gabuar. Duke qenë se e kam provuar vet të jetosh pa prindër, sidomos pa praninë e nënës, është skandal. Edhe pse kam jetuar shumë kohë pa nënën time, vëllai, që është 10 vjet më i madh se unë, më ka treguar gjithë skenën. Krimi ndodhi në shtëpi, në Tiranë. Babai ka qenë i padëshiruar, ishte alkoolist, pinte shumë. Kur erdhi në shtëpi, erdhi tap dhe ndodhi kjo që ndodhi. Keq më vjen, por shyqyr Zotit që kam gjetur një mbështetje, kafshët. Babai e vrau me armë zjarri nënën. Unë e di që vëllai lajmëroi policinë dhe erdhën e morën.
Babai u dënua 10 vite, por tani ka vdekur para dy vitesh, u sëmur nga zemra. E takova vetëm 1 herë sepse më duhej një dokument për të marrë firmën e tij, por nuk kisha dëshirë ta takoja. Mbaj mend që ishim ulur në një kafe dhe më thotë ‘shiko unë kam bërë këtë krim, por ndihem keq’. Më kërkoi falje, por unë s’është se kisha ndonjë interes, lidhje me të. Më tha që fotografinë e nënës time e kishte në shtëpi në një kornizë. Ndihesha shumë keq. Vëllai i madh e ka takuar më shpesh. Jam i ndarë nga vëllai, nuk më braktisi por është mirë kur ai bën jetën e vet dhe unë timen. Nuk ndihemi dhe aq mirë bashkë, kështu që mendoj se ai është mirë aty ku është.
Fëmijëria ka qenë një periudhë e keqe për mua për shkak se nuk kam patur një prind afër. Në jetimore ndihesha mirë se ishim njëlloj. Nuk më erdhi keq kur mora vesh që vdiq babai, e mora vesh një muaj më vonë. Kam jetuar deri para pak vitesh në jetimore, pastaj jam shkëputur. Tani studioj për degën e infermierisë dhe pasioni im është modelingu. E kam parë veten që jam pak i shëndoshë, por nuk është e rëndësishme kjo. Me pak muaj palestër dhe dietë të mirë, kam kohë të ndryshoj”, ka thënë Franci, i cili do të mbarojë shkollën dhe të shkojë jashtë shtetit, në Itali.
Ai ka një qenushe që quhet Liza. “Unë jam vullnetar tek një strehë për qenushat në Elbasan. Pamë që numri i qenushave po shtohej dhe u bë streha”, tha Franci.