Lekë Prendi, 42-vjeçari i dënuar me 21 vite burg për vrasjen e priftit Gjovalin Prendi gjatë një grabitjeje autobusi në Kukës në vitin 2000, është ekstraduar nga Britania e Madhe drejt Shqipërisë.
“Në vijim të bashkëpunimit me homologët, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga specialistët e Interpol Tirana, falë koordinimit dhe bashkëpunimit me autoritetet policore të Mbretërisë së Bashkuar, u bë ekstradimi drejt Shqipërisë i shtetasit: Lekë Prendi alias Aleks Kola alias Nikolin Pacani, 42 vjeç”, njofton policia.
Gjykata e Apelit Shkodër e ka dënuar Prendin për veprat penale “Vrasja” e kryer në bashkëpunim, “Vjedhja me pasojë vdekjen” dhe “Armëmbajtja pa leje” .
Lekë Prendi shkoi në Angli duke pretenduar se ishte një refugjat lufte nga Kosova me emrin Aleks Kola, të cilin ai e përdor ende deri në momentin e arrestimit në korrik të vitit 2013.
Policia zbuloi se gjurmët e gishtërinjve të tij ishin të ngjashme me një njeri që kërkohej ndërkombëtarisht nga Interpoli për grabitjen e autobusit me 22 klerikë në Kukës që rezultoi në vrasjen e një personi.