Kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismaili, do të përballet më 19 nëntor me Gjykatën e Posaçme me akuzën e falsifikimit të formularëve. I pyetur në lidhje me vendimin e Gjykatës për të kaluar për gjykim çështjen ndaj tij dhe se çfarë pret të ndodhë në seancën e radhës, Ismaili tha se: ”Nuk kam një koment për vendimin, s’dua ta komentoj si çështje tani”.
Prokuroria pritet t’i paraqesë gjykatës konkluzionet përfundimtare. Ismaili ka kërkuar që procesi ndaj tij të zhvillohet me gjykim të shkurtuar dhe kjo është pranuar nga gjykata.
SPAK-u nisi hetimet për kryebashkiakuan socialist nëntorin e kaluar, pas denoncimit të PD-së e cila akuzonte se ai kishte fshehur një dënim me 3 vite burg në Greqi dhe nuk e kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit.
Avokati Andi Skenderi kërkon pushimin e hetimeve, duke argumentuar se klienti i tij nuk ka pasur dijeni për hetimet në Greqi dhe se ai ka qenë viktimë e konfliktit që ka ndodhur.
