Mëngjesin e kësaj të marte, tre makina u përfshirë nga flakët në lagjen “Pavarësia” në Vlorë në zonën e njohur si Albano&Romina. Nga zjarri u dogjën dy makina dhe pjesërisht një e tretë.
Sipas burimeve, dy nga mjetet i përkasin Petref Nezhës dhe Nerizan Hoxhës. Ky i fundit, mjeti i të cilit u dogj i pari, thotë se nuk dyshon tek asnjë person dhe se nuk e di pse ia kanë bërë këtë gjë.
“Unë punoj në ndërtim. Kam parkuar si çdo natë këtu. Nuk kam asnjë dyshim. S’e di pse më është bërë kjo gjë. Shpresoj që policia ta gjejë personin”, tha për mediat.
Kamerat e sigurisë kanë kapur një person me kapele që ka vendosur zjarrin në mjet dhe më pas është larguar. Dyshohet se autori është dëmtuar edhe vetë në tentativë për të ikur.
