Kryetari i parlamentit të Polonisë Marek Kuchcinski njoftoi të enjten se do të japë dorëheqjen pas publikimit të fakteve se kishte përdorur avionët qeveritarë për udhëtime private me pjesëtarët e familjes së tij.
Përpara zgjedhjeve të pritshme të muajit tetor, skandali duket se vendos në pozitë të vështirë partinë në pushtet të krahut të djathtë nacionalist atë për Ligj e Drejtësi (PiS).
Fshehja e skandalit u bë e pamundur pasi media polake publikoi detaje të mëtejshme rreth fluturimeve duke nxjerrë në pah mospërputhje në shpjegimet e dhëna nga zoti Kuchcinski dhe qeveria. Sipas një sondazhi të publikuar të enjten nga tabloidi ‘Super Express’ rreth dy e treta e polakëve ishin për dorëheqjen e kryetarit të parlamentit.
