Gjykata dha masën arrest me burg për Sebastian Malin, i cili dyshohet se është një ndër autorët e përfshirë në vrasjen e Hekuran Billës, me 11 qershor në Tiranë. Ai është dhe nipi i Prel Marku. Ky i fundi u vra nga Billa në vitin 2006 në një lokal në Angli.
Për 22 vjeçarin Mali, policia e ka gjurmuar dhe ndjekur atë për ditë me radhë, derisa arriti të grumbullonte faktet dhe provat shkencore që ai është një nga bashkëautorët për ekzekutimin e Billës përpara një qendre tregtare në datë 11 qershor.
Sebastian Mali mbërriti në një pikë servisi në Laprakë, tre orë para vrasjes së Hekuran Billës. Nën justifikimin se kishte takim me të dashurën, ai kërkoi makinën e tyre.
Ai iu lut punonjësit të servisit që të parkonte makinën e tij “Smart” në servis dhe të merrte me vete një makinë “Nissan Micra” që më vonë shfaqet në një radhë kamerash sigurie teksa i paraprin makinës së vrasësve që mbrëmjen e 11 qershorit qëlloi me 19 plumba Billën.
Sipas prokurorisë kjo zbuloi skemën e përdorur nga vrasësit. Pikërisht me këtë “Nissan Micra” u shoqërua automjeti që më pas u gjet i djegur mbas krimit në fshatin Pezë. Sebastian Mali e mori mjetin 20 e 30 minuta të datës 11 qershor, me justifikimin se do të takonte të dashurën. Ai u rikthye në 23:00 për të marrë më pas makinën e tij që kishte parkuar në servis.
Për këtë nder ai i kishte qerasur punonjësit e servisit me një pije freskuese, por edhe makina “Smart” nuk ishte në pronë të të riut, ishte marrë me qira në Shkodër.
Hetimet zbuluan se Viktor Marku e mori me qira “Smart-in” më dy mijë lekë dita dhe pas krimit motra e tij u paraqit dhe pagoi detyrimin përkatës.
Nga kqyrja e sistemit TIMS rezulton se Viktor Marku ka dalë nga Shqipëria në datën 19 janar thonë burime të prokurorisë, që saktësojnë se pavarësisht kësaj alibie një dëshmitar në Shkodër i rrëfeu policisë se mjetin “Smart” ja kishte dhënë Viktor Markut, që është vëllai i Prel Markut, i vrarë nga Hekuran Billa në Britaninë e Madhe.
