Një 48-vjeçar është arrestuar nga Policia e Kurbinit gjatë një operacioni kundër veprimtarisë së paligjshme në fushën e narkotikëve.
Operacioni, i koduar “Veprimtaria”, u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe specialistët për hetimin e narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 48-vjeçarit të identifikuar si Saimir Keqi, në fshatin Fushë-Kuqe, policia gjeti dhe sekuestroi 776 gramë lëndë të dyshuar heroinë, si dhe një peshore elektronike që dyshohet se përdorej për ndarjen e lëndës narkotike.
Po ashtu, në oborrin e banesës u zbuluan 144 bimë të dyshuara cannabis sativa. Bimët u asgjësuan, ndërsa një pjesë e tyre u sekuestrua si provë materiale.
Sipas policisë, 48-vjeçari dyshohet se merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe kultivimin e kanabisit.
Materialet i janë referuar Prokurorisë, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie.
