BE e ka konsideruar retorikë fyese, konfrontuese dhe ndarëse deklaratën e kryeministres serbe, Ana Bernabiç e cila i ka qajtur shqiptarët të zbritur nga mali.
Në një përgjigje dhënë Radios Evropa e Lirë, Maja Kocijançiq, zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Federica Mogherini, ka thënë se “ngjarjet e ditëve të fundit kanë treguar qartë se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, duhet të rezultojë me një marrëveshje të qëndrueshme dhe afatgjatë për normalizim të marrëdhënieve” dhe se status-quoja nuk është mundësi.
Pas deklaratës së kryeministres serbe gjatë ditës ka reaguar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili në një përgjigjje për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se gjuha e përdorur nga kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, është “edhe një tjetër dëshmi e urrejtjes patologjike të regjimit aktual të Serbisë kundër qytetarëve të Kosovës”.
Bërnabiq i ka bërë këto komente në prani të ambasadorit të Bashkimit Evropian në Serbi, Sem Fabrizi, andaj Thaçi i ka kërkuar BE-së që sa më shpejt ta dënojë dhe të distancohet nga kjo “gjuhë raciste” e zyrtarëve të Serbisë, e cila, sipas tij, nxit urrejtje dhe i minon përpjekjet për pajtim dhe normalizim.
Kosova dhe Serbia, kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve, me ndërmjetësimin e BE-së në vitin 2011.
Procesi i bisedimeve aktualisht ka ngecur, për shkak të, siç është thënë, taksës prej 100 për qind që Qeveria e Kosovës u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia
