Një familje është grabitur në orët e vona të natës në Zall Herr, të cilët kanë rrëfyer për mediat dhe dinamikën e ngjarjes tronditëse. Ata thonë se kjo është hera e dytë që grabiten, teksa më herët është marrë dhe mjeti motor në oborrin e shtëpisë.
Vajza e familjes, e cila ka dhe një fëmijë të mitur ka rrëfyer se ndodhej në katin e dytë të shtëpisë kur janë futur grabitësit, të veshur civilë, me doreza të zeza dhe me kapuç. Ajo tha se njeri që shkoi dhe i kërcënoi në dhomë mori urdhër nga një tjetër grabitës që ta vriste, por fatmirësisht tregon vajza që fishekët fluturuan nga automatiku i mbushur.
“Njëri që ishte poshtë i thotë personit të parë vrite. Ai e kishte pas automatikun e mbushur, por fluturuan fishekët dhe pastaj unë me djalin bërtitëm. Ca kërkoni i thashë? Ishin të veshur civila me kapuça. Kontrollojnë poshtë në katin e parë dhe marrin telefona, gjëra me vlerë, para, karta identiteti. Me kanë marrë lekët e pleqve, diku tek 600 mijë lekëshi”, tha vajza.
Ndërsa e zonja e shtëpisë deklaroi se hajdutët kishin hyrë në shtëpi sikur ishin policia dhe po kontrollonin zonën për armë.
“Isha në gjumë, dëgjova zhurmë dhe thonë policia, policia, kontroll për armë. Bërtisnin mos lëvizni, mos lëvizni, krehje e zonës. Burri bërtiste sa i vunë edhe ngjice në gojë”, tha gruaja.
