Policia e Tiranës bën të ditur se është identifikuar dhe ndaluar infermierja 30-vjeçare e cila i kishte vjedhur portofolin një pacienti të shtruar me COVID-19.
Ngjarja u bë publike në emisionin investigativ “Stop” dhe policia ra në gjurmët e saj në sajë të analizimit të pamjeve filmike.
Ka qenë djali i të ndjerit ai që ka denoncuar se nga llogaria e të atit ishte tërhequr shuma prej 60 mijë lekësh.
NJOFTIMI I PLOTE
Tiranë
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë bërë të mundur identifikimin, lokalizimin dhe ndalimin e shtetases R. H., 30 vjeçe, banuese në Durrës.
Ndalimi i kësaj shtetaseje u bë pasi në bazë të pamjeve filmike rezulton si autorja e vjedhjes së një shume parash në portofolin e shtetasit K. D., i cili ka qenë i shtruar në spitalin infektiv, ku ka ndërruar jetë nga COVID-19.
Pas kallëzimit të bërë për këtë ngjarje, nga djali i të ndjerit, shtetasi F. D., 25 vjeç, i cili ka deklaruar se nga llogaria bankare e të atit ishte tërhequr shuma 60.000 lekë, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë kanë organizuar punën për identifikimin e autorit.
Në bazë të provave filmike ka rezultuar se edhe shuma e parave është tërhequr nga shtetasja R. H., infermiere në spitalin infektiv, e cila ka pranuar autorësinë e ngjarjes, që është bërë mediatike edhe nga emisioni investigativ “STOP”.
Materialet procedurale do të referohen në Prokurorinë e Rrethit Gjygjësor Tiranë, për veprime hetimore të metejshme, për veprat “Vjedhja” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”.
