Atilio Ndrekaj, 23 vjeç, me origjinë shqiptare ka ndërruar jetë në spital pak orë pasi u shtrua si pasojë e rrahjes brutale që pësoi në parkingun e një qendre tregtare.
Mediat italiane shkruajnë se shqiptari nuk u ka rezistuar dot plagëve të marra dhe ka vdekur në spital.
Shoku i tij që u dhunua gjithashtu Pier Francesco Ferrari, 35 vjeç, banues në Itali është në gjendje të rëndë për jetën.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një qendër tregtare në Mantua të Italisë, një natë më parë.
Të rinjtë që u rrahën kanë marrë fillimisht një telefonatë dhe u është caktuar një takim në parkingun e qendrës tregtare.
Aty janë përballur me 4-5 persona, të cilët kanë nisur t’i godasin me shkopa bejsbolli duke i bërë të përfundojnë në spital në gjendje shumë të rëndë.
Mediat italiane shkruajnë se karabinierët që po hetojnë këtë çështje janë të kufizuar për sa i përket dinamikës dhe arsyeve të pritës, por pista kryesore mbetet ajo e larjes së hesapeve.
