Mësuesja Teuta Lagja në Oblikë të Shkodrës nuk e ka fshehur trishtimin për pakësimin e numrit të nxënësve në shkollë.
Në emisionin “Jeto me Orën” ajo shpreh se dikur oborri i shkollës gumëzhinte ndërsa tani janë pak nxënës për shkak të largimit të familjeve jashtë vendi.
Teuta Lagja: Dikur oborri i shkollës gumëzhinte, tani janë pak, çdo ditë presim të na ikin. Cdo ditë presim të na largohen fëmijë të tjerë me gjithë familjet e tyre. Nga momenti në moment presim një lajmërim që vjen një fëmijë e thotë ‘U largova për Francë. U largova për Gjermani.’
Është e tmerrshme. Si të largohet fëmija yt. Parvjet e nisa klasën me 13 fëmijë, këtë vit kam 10, pas disa muajsh mund të bëhen 9-të. Është e dhimbshme.
Si zgjidhje për këtë braktisje të vendit nga shqiptarët mësuese Teuta shikon krijimin e mundësive më të mira të jetesës nga shteti.
Teuta Lagja: Të ketë përkrahje të mos ikin familjet e reja. Të gjithë ikin për arsye ekonomike. Ka nga ata që kanë ikur dhe nuk ju pëlqen fare. Ekonomia i bën të qëndrojnë atje. Shpresoj që ky shtet t’ju krijojë familjeve, kushte që të mund të jetojnë dhe në Shqipëri.