Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se çmimet do të bien kur populli të ngrihet. Në konferencën e kësaj të mërkure me gazetarët, Meta theksoi edhe se çdo denoncim është bërë me fakte, jo thjesht për qëllime politike.
“Është në interesin më të lartë publik. Do të vazhdojmë çdo ditë. Objektivi ynë është Edi Rama. Ai është oligarku i Shqipërisë. Të tjerët janë nënkontraktorë të tij. Ora e shtetit, ligjit dhe qytetarëve të lirë po vjen”, tha Meta.
Po ashtu Partia e Lirisë kërkoi që qeveria të shfuqizojë bordin e transparencës së karburanteve. Sipas deputetit Petrit Vasili, përmes bordit çmimi i naftës dhe benzinës po mbahet i lartë, në mënyrë të padrejtë. “Në bursa çmimi ka rënë në nivelet e para luftës (në Ukrainë). Zgjidhja për këtë është shkrirja e menjëhershme e bordit mafioz dhe ndërhyrja te taksat”, tha Vasili.
