Kryeministri Edi Rama është shprehur i bindur se shteti do ta fitojë përballjen me protestat e dhunshme, duke paralajmëruar se kush mendon se mund të marrë pushtetin përmes dhunës, do të zhgënjehet.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë i cilësoi zhvillimet si pjesë të një “plani ogurzi për Shqipërinë”, për të cilin, sipas tij, po gëzohen kundërshtarët e vendit dhe forcat që nuk e duan Shqipërinë të ketë një rol të rëndësishëm në rajon.
Rama deklaroi se ka aktorë që nuk e dëshirojnë Shqipërinë me kokën lart dhe as zhvillimin e saj ekonomik e turistik. Në këtë kontekst, ai përmendi rritjen e numrit të turistëve që vizitojnë vendin, duke e vënë përballë situatës së viteve të mëparshme, kur Shqipëria nuk ishte një destinacion i frekuentuar nga vizitorët e huaj.
“Nuk diskutohet që shteti do ta fitojë këtë betejë dhe nuk diskutohet që kush mendon se e vuri shtetin përpara dhe kush mendon se do të marrë pushtetin me dhunë, do të zhgënjehet.
Por nuk diskutohet që kush i është vënë në dispozicion këtij plani ogurzi për Shqipërinë, për të cilin fërkojnë duart në radhë të parë dashakeqësit e Shqipërisë, për të cilin fërkojnë duart në radhë të parë forcat që nuk e duan Shqipërinë me kokën lart në këtë rajon, ku kemi qenë për shekuj me radhë të poshtëruar.
Nuk e duan Shqipërinë që të kryesojë rajonin në shumëçka. Nuk e duan Shqipërinë që të ketë 12, 13, 20 milionë turistë. E duan Shqipërinë që të mos vijë askush këtu, siç ndodhte më përpara, kur numëroheshim për turistë kur hynim dhe dilnim ne…”
