Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka folur këtë të martë në lidhje me kontratat koncesionare dhe ndikimin e tyre në ekonominë shqiptare. Për të koncesionet korruptive dhe PPP-të po e mbysin ekonominë, duke rënduar ndjeshëm buxhetin e shtetit, rritur në mënyrë katastrofike borxhin publik dhe praktikisht duke falimentuar Shqipërinë.
“Këto praktika shumë të dëmshme për ekonominë e vendit, sikundër projektet korruptive të Partneriteteve Publike-Private (PPP) për investime në infrastrukturë do të pengojnë efikasitetin e investimeve publike dhe do të bëhen shkak për të krijuar detyrime shumë të mëdha, të cilat mund të dëmtojnë seriozisht qëndrueshmërinë e borxhit.
Sikundër evidenton edhe FMN këto kontrata, që zënë gati 40 për qind të PBB-së 2022, nuk do të mund të kontrollohen, çka praktikisht nënkupton një gropë ku priten të zhduken qindra e qindra miliona euro të taksapaguesve shqiptarë.
Mbështes fuqimisht edhe thirrjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar në deklaratën e fundit e Bordit të Drejtorëve drejtuar Qeverisë shqiptare për nevojën e publikimit të kontratave të prokurimit publik që kanë të bëjnë me pandeminë dhe shpenzimet për rikuperimin e tërmetit, emrat e kompanive që kanë fituar kontratat dhe pronarët e tyre përfitues”.
