Kryetari i KQZ-së, Iliria Celibashi ka sqaruar mbrëmjen e sotme debatin nëse do të konsiderohet fushatë dhënia e çelësave të shtëpive të rindërtuara nga tërmeti prej kryetarëve të bashkive dhe kryeministrit për familjet e prekura nga tërmeti. Në emisionin “Java” në TVSH, Celibashi tha se:
“Është absurde që ne si KQZ apo Kodi Zgjedhor dhe ligji të ndalojnë kryerjen e funksionit të institucioneve publike që të kryejnë punën e tyre. Nëse puna e kryetarit të bashkisë është të shpërndajë çelësat e banesave, atëherë askush nuk ndalon as atë, as ministrat, as kryeministrin që të kryejnë detyrat e tyre.
Është e ndaluar çdo veprimtari mbështetëse dhe promovuese e institucioneve publike, për të cilat janë dhënë fonde në këto 4 muajt e fundit. Pra nëse qeveria ose një institucion tjetër publik është duke zhvilluar një program të cilin ajo e ka në kalendarin e saj, nuk ka absolutisht asnjë lloj pengese. Me pak fjalë, Kodi Zgjedhor ndalon le të themi asfaltin elektoral, ndërtimin elektoral, po nëse këtë projekt e ke pasur për ta zhvilluar, do të vazhdojë të realizohet”.
